Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka ndarë kujtimet e tij mbi takimin e parë me Lionel Messin gjatë seancave stërvitore me ekipin e parë në vitin 2004. Xavi pranoi se fillimisht kishte qenë skeptik ndaj njoftimeve nga akademia e klubit, La Masia, rreth një talenti që vinte nga Argjentina.
Megjithatë, që në stërvitjen e parë, Messi, i cili ishte vetëm 16 vjeç, mahniti futbollistët me përvojë të ekipit të parë. Xavi kujton se aftësitë e tij ishin të jashtëzakonshme për moshën, duke u shndërruar menjëherë në një nga lojtarët më të mirë në klub. Sipas Xavit, loja me Messin ishte jashtëzakonisht e lehtë, pasi argjentinasi kthente pasimet në mënyrë perfekte dhe të saktë.
Duke e përshkruar si bashkëlojtarin më të kompletuar, Xavi theksoi se inteligjenca e Messit ndikoi pozitivisht në zhvillimin e tij si futbollist. Ai shtoi se e gjithë skuadra e Barcelonës kërkonte që ta përfshinte sa më shumë në aksion, me synimin që lojtari të ndihej sa më i lumtur në fushë. Për Xavin, aftësia për të kombinuar me Messin mbetet thelbësore për të kuptuar futbollin, duke deklaruar se "nëse nuk mund të kombinosh me Messin, atëherë nuk mund të luash futboll".