Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, pyeti të martën Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metanin, nëse ILD-ja mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Çështja u diskutua gjatë një takimi të komisionit me Metanin.
Avokatët kanë bojkotuar proceset në GJKKO që prej 7 shtatorit, duke kundërshtuar rregulloren e re që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e celularëve në sallat e gjykimit. Xhafaj ngriti shqetësimin për pasojat e ngërçit në zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin te sistemi i drejtësisë dhe qytetarët. Ai pyeti nëse ILD-ja mund të kontribuojë, brenda kompetencave ligjore, për kapërcimin e situatës.
Metani tha se institucioni e ndjek situatën dhe diskuton për të, por se zgjidhja kërkon një tryezë mes palëve dhe shkon përtej kompetencave të ILD-së. Ai u shpreh se institucioni do të ishte i gatshëm të ndihmonte aq sa mundet, por se zgjidhja nuk varet vetëm nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Xhafaj tha se, sipas vlerësimit të tij, ILD-ja mund të ketë rol, pasi ngërçi prek procesin e rregullt ligjor dhe sjell zgjatjen e proceseve gjyqësore. Ai theksoi se zgjidhja u takon palëve, por e cilësoi të arsyeshme ndërhyrjen e Inspektorit për ruajtjen e balancës dhe kontrollit të ndërsjellë në sistemin e drejtësisë.
Metani e quajti këtë këndvështrim personal. Ai tha se komisioni mund t’i kërkojë ILD-së të kryejë inspektime tematike dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim, për të ndihmuar komisionin të shqyrtojë shqetësimet dhe problematikat e sistemit të drejtësisë.