Përzgjedhësi i përfaqësueses zvicerane Murat Yakin ka lavdëruar kapitenin e Sunderlandit Granit Xhaka gjatë konferencës për shtyp të enjten. Ai e cilësoi mesfushorin 33-vjeçar si luftëtar të vërtetë dhe theksoi rëndësinë e tij për ekipin.
Xhaka është rikthyer së fundmi nga një lëndim, por ka vendosur të bashkohet me Zvicrën për ndeshjet miqësore kundër Gjermanisë më 27 mars dhe Norvegjisë më 31 mars. "Jam në kontakt shumë të ngushtë me Granitin, edhe për dëmtimin e tij. Ai është një luftëtar. Në Kampionatin Evropian në Gjermani, ai luajti një ndeshje të tërë, pavarësisht një dëmtimi. Ne kemi nevojë për të dhe jam i lumtur që ai mund të kthehet në kohë", ka deklaruar Yakin.
Përzgjedhësi konfirmoi se Xhaka mund të kursehet gjatë këtyre ndeshjeve për të shmangur rrezikun. "Ende duhet të diskutojmë se sa gjatë do të luajë. Kemi mundësinë të zëvendësojmë të gjithë lojtarët. Kjo na lejon të menaxhojmë ngarkesën e punës në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe kritike", shtoi ai.
Xhaka mban rekordin e paraqitjeve me Zvicrën, me 143 ndeshje dhe 16 gola të shënuar.
Ndër lojtarët e tjerë të ftuar dallohet mesfushori i Milanit Ardon Jashari, i cili luajti për herë të fundit me Zvicrën në miqësoren e 11 qershorit të vitit të kaluar kundër SHBA-së. Në listën rezervë është sulmuesi i Thunit Kastriot Imeri, të cilin Yakin e vlerësoi si opsion të mundshëm. "Kastriot Imeri është në listën e lojtarëve rezervë. Ai ka demonstruar cilësitë e tij. Ai sigurisht që mund të jetë një opsion për ne", tha Yakin.
Po ashtu, alternativë në sulm mbetet sulmuesi i Widzew Lodzit Andi Zeqiri.