Në sfidën e zhvilluar së fundmi, Ardon Jashari dha një kontribut të rëndësishëm në fitoren bindëse të Zvicrës me rezultatin 3-0 përballë Maqedonisë së Veriut. Në ndeshjen e luajtur në vendlindjen e prindërve të tij, mesfushori i Milanit mori përsipër rolin kyç në mesfushë, duke formuar një dyshe funksionale me Remo Freuler dhe duke qëndruar në fushë përgjatë gjithë 90 minutave.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave në zonën mikse, Jashari e vlerësoi paraqitjen si një nisje pozitive, duke theksuar disiplinën taktike të ekipit në të dyja fazat, atë mbrojtëse dhe atë sulmuese. Lidhur me krahasimet e shpeshta me kapitenin Granit Xhaka, për shkak të origjinës së përbashkët dhe pozicionit në fushë, Jashari u shpreh se ndihet i nderuar, por sqaroi se stilet e tyre të lojës janë të ndryshme.
"Nuk u përpoqa ta zëvendësoj Granitin, por thjesht të bëj atë që kam bërë gjithmonë", deklaroi ai për SRF. Mesfushori shtoi se stilet e tyre mund të jenë plotësuese për njëri-tjetrin në të ardhmen. Në një moment të lehtë gjatë prononcimit për gazetarët zviceranë, Jashari bëri shaka duke u ofruar atyre përgjigje edhe në gjuhën shqipe: "Edhe në shqip mund t’ju përgjigjem".
Pas këtij suksesi në Ligën e Kombeve, përfaqësuesja e Zvicrës është e përqendruar te sfida e radhës, ku do të jetë mysafire e Skocisë.