Ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar ndaj debatit të fundit publik, duke kritikuar retorikën që promovon revolucionin dhe eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë. Në shkrimin e tij të titulluar "Flamingot e kinostudios Shqipëria e re", ai vë në dukje rrezikun e polarizimit që i vë qytetarët përballë zgjedhjes së detyruar mes revolucionit dhe politikës aktuale.
Manjani argumenton se projekti i një “Shqipërie të Re”, që bazohet mbi skenarë të dhunshëm, ngjan më shumë me narrativat e dështuara të së kaluarës sesa me një vizion serioz politik. Sipas tij, iluzioni se problemet komplekse zgjidhen përmes spastrimeve apo përmbysjeve të dhunshme është një qasje anakronike.
Sipas autorit, demokracia është një sistem ku pushteti merret dhe hiqet përmes votës, ndërsa pretendimi për të korrigjuar politikën përmes vrasjeve e shndërron atë në një "poligon qitjeje".
“Revolucioni pa dhunë është si zjarri pa nxehtësi; nuk ekziston”, shprehet Manjani, duke shtuar se ai mbetet kritik ndaj çdo force politike, qoftë qeverisë apo opozitës, por distancohet qartë nga gjuha e urrejtjes. Ai rithekson se revolucioni është një fabrikë e dhunës kolektive, ku turma të manipuluara mund të arrijnë në përfundime të rrezikshme për eliminimin e kundërshtarit politik.