Eduard Zaloshnja ka ekstrapoluar statistikisht rezultatet e sondazhit të tij të fundit për emisionin ‘Zëri i Shqiptarëve’. Sipas tij, sot 325 mijë banorë të rritur të vendit do të votonin për koalicionin PD-ASHM, ndërsa 660 mijë për PS-në, duke krijuar një epërsi prej 335 mijë votuesish brenda vendit.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, koalicioni PD-ASHM mori 502 mijë vota nga banorët e rritur brenda vendit, duke llogaritur edhe ata që u ngatërruan me plotësimin e fletë-votimeve si faqe gazete. PS-ja mori 764 mijë vota, epërsi 262 mijë votuesish.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, partitë që përbëjnë koalicionin PD-ASHM (PD, LSI, PR, PDIU, PAA etj.) morën 760 mijë vota brenda vendit, duke llogaritur edhe ata që u ngatërruan me plotësimin e fletë-votimeve si fjalë-kryqe gazetash. PS-ja mori 810 mijë vota, epërsi 50 mijë votuesish.
Sipas analizës, koalicioni PD-ASHM ka 435 mijë votues më pak brenda vendit sot se në 2021, ndërsa PS-ja ka 150 mijë më pak. Kështu, epërsia e PS-së është rritur nga 50 mijë në 335 mijë votuesish.
Zaloshnja vë në dukje se në 2021 emigrantët nuk kishin mundësi praktike për të votuar, por në 2025 PD-ASHM mori 47 mijë vota emigrantësh me postë, ndërsa PS-ja 122 mijë.