Policia greke ka njoftuar zbardhjen e një tentative vrasjeje të ndodhur mbrëmjen e 8 janarit 2025 në Selanik, ku objektiv ishte 32-vjeçari Danjel Dushku. Në orët e mëngjesit të së mërkurës, oficerët e Nëndrejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore ekzekutuan urdhër-arrestet për tre shtetas shqiptarë të dyshuar si autorë të sulmit: Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç. Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim Danjel Dushkun, i cili akuzohet se iu kundërpërgjigj sulmit me armë zjarri.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi kur të tre të dyshuarit iu afruan Dushkut në një zonë të Selanikut. Robert Elezaj dyshohet se qëlloi me pistoletë drejt Dushkut pa e lënduar, por plumbat plagosën një person që ndodhej rastësisht në vendngjarje dhe shkaktuan dëme në një dyqan. Edhe Rueldi Dragjoshi dyshohet se hapi zjarr pa arritur ta godasë objektivin, ndërsa Sergo Elezaj i drejtoi armën Dushkut dhe shërbeu si transportues i bashkëpunëtorëve me një automjet të marrë me qira. Gjatë operacionit të arrestimit, Sergo Elezaj tentoi të arratisej përmes çatisë, por u lokalizua nga policia. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një pistoletë, fishekë dhe dokumente të falsifikuara.
Danjel Dushku, i cili është vëllai i Fabio Dushkut – një personazh i njohur për drejtësinë greke për shkak të dënimeve të tij për vrasje dhe terrorizëm – është kthyer në subjekt kërkimi. Policia deklaroi se gjatë përplasjes, edhe Dushku qëlloi me armë drejt sulmuesve, duke dëmtuar automjetin e tyre dhe një makinë tjetër të parkuar, pa shkaktuar megjithatë të plagosur nga pala tjetër. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore vijojnë ende nga autoritetet greke.