Policia greke ka vënë në pranga 32-vjeçarin shqiptar Adriano Bushi, i cili ishte shpallur në kërkim për një tentativë vrasjeje të ndodhur në pranverën e këtij viti. Arrestimi u realizua në orët e para të mëngjesit të datës 28 korrik 2026, gjatë një operacioni të koordinuar nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar, njësitë speciale EKAM, si dhe Sektori për Luftën kundër Zhvatjes (DAOE).
Adriano Bushi u gjet dhe u ndalua në një banesë ku qëndronte përkohësisht në zonën e Ovryas, në Patra. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Departamenti i 2-të i Rregullt Hetimor i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Akaisë, për veprat penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët plasëse.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, ngjarja për të cilën akuzohet 32-vjeçari ndodhi më 7 prill 2026. Adriano Bushi, së bashku me Dimitrios Georgakopoulo, Georgio Giova dhe një person tjetër ende të paidentifikuar, organizuan një takim në rrugën Ryakiou në N. Souli (Patra) me shtetasit Panagiotis Moraitis dhe Panagiotis Theodorakopoulo. Takimi u vendos pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme midis Georgio Giovas dhe Panagiotis Moraitisit.
Kur dy shtetasit grekë mbërritën në vendin e takimit, Adriano Bushi dhe personi i paidentifikuar hapën zjarr drejtpërdrejt ndaj tyre. Si pasojë e të shtënave, Panagiotis Moraitis mbeti i plagosur me armë zjarri. Sipas të dhënave mjekësore, ai pësoi plagë depërtuese në të dyja këmbët, si dhe frakturë në kockën e fibulës së majtë. Viktima u dërgua për ndihmë mjekësore dhe gjendja e tij nuk paraqiti rrezik për jetën.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personit të katërt që dyshohet se mori pjesë në këtë atentat.