Gent Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, foli në emisionin "Oponencë" të News24-së për protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar më 10 shkurt në Tiranë.
Gjatë tubimit, sipas Mullajt, ndaj efektivëve të policisë u përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike dhe mjete të forta, duke lënduar 16 punonjës. Ai e cilësoi situatën si sulm të drejtpërdrejtë ndaj forcave të rendit, me mjetet e hedhura mbi trupat e efektivëve.
Për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për akte të organizuara, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka ngritur një grup hetimor që do të shqyrtojë ngjarjet e tubimit. Aktet e dhunës nisën pas përfundimit të fjalimeve.
Policia, sipas Mullajt, tregoi vetëpërmbajtje duke bërë thirrje për distancim nga dhuna, largimin e të miturve dhe personave të maskuar që hodhën sende të forta. Në bulevard u përdor vetëm automjeti ujëhedhës pas paralajmërimit paraprak, ndërsa gazi lotsjellës u shfrytëzua para Parlamentit për shkak të intensitetit të lartë të sulmit.
Sa i përket incidentit me deputetin Bledion Nallbati, i cili u dëmtua nga efektivë policie dhe përfundoi në spital, Mullaj tha se veprimet e policisë po hetohen nga grupi hetimor. "Nuk më rezulton që të kenë shkuar te deputeti për ta goditur, gjithsesi grupi hetimor do e hetojë", u shpreh ai.
Mullaj foli edhe për procedimin ndaj deputetit Belind Këlliçi, i cili ndodhet në SHBA, jo për dhunë ndaj policisë, por për organizim të tubimit. Materialet janë referuar te Prokuroria e Tiranës.