Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë zonat e kodrave në fshatrat Bardhaj dhe Myselim të qarkut të Shkodrës. Përhapja e flakëve është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i thyer, duke rrezikuar banesat e zonës. Për shuarjen dhe izolimin e vatrave, autoritetet kanë nisur një operacion intensiv të mbështetur nga ndërhyrja ajrore me helikopter. Në terren janë angazhuar forca të shumta, duke përfshirë 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër dhe një bot uji të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Operacioni po zhvillohet në koordinim me strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimin Pyjor, përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë, si dhe me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës nga Reparti RKV 1010 në Vau i Dejës. Sipas kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, angazhimi i strukturave, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Prefekturën e Qarkut Shkodër, ka bërë të mundur mbrojtjen e 15 banesave deri në këtë moment. Prioriteti i ekipeve të shpëtimit mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe pronës, ndërsa puna për izolimin e plotë të vatrave të zjarrit vijon pa ndërprerje.
Përditësime
Operacioni i shuarjes së zjarrit në zonën e Myselimit, mbi rezervuarin e Shtodrit, ka vijuar përgjatë mëngjesit të sotëm. Efektivët e Repartit 1010 të Forcave të Armatosura nga Vau i Dejës kanë intensifikuar praninë e tyre në terren për të mbështetur operacionin. Objektivi kryesor i ekipeve të angazhuara është izolimi dhe shuarja përfundimtare e çdo vatre të mbetur aktive.
Zjarri në Bardhaj vijon të jetë aktiv prej më shumë se 24 orësh, duke shkaktuar dëme në ullishte dhe mjete bujqësore në afërsi të zonave të banuara. Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, 30 efektivë të Forcave të Armatosura të Repartit 1010 janë angazhuar në operacionin e shuarjes. Shkaqet e rënies së flakëve mbeten ende të paqarta.
Autoritetet kanë vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në Bardhaj dhe Myselim, duke normalizuar situatën pas më shumë se 24 orësh operacione. Dy helikopterë kryen ndërhyrje nga ajri, ndërsa vullnetarët dhe banorët u bashkuan me shërbimet zjarrfikëse për të shuar flakët. Banesat në këto zona janë tashmë jashtë rrezikut dhe të sigurta.
Situata e zjarreve në qarkun e Shkodrës dhe zonat përreth është përkeqësuar pas shfaqjes së vatrave të reja. Strukturat e emergjencave raportojnë zhvillimet e mëposhtme: - Zjarre aktive janë shfaqur në Bërdicë, Shtoj të Ri, Mnelë të Madhe (Vau Dejës) dhe Naraç. - Situata mbetet kritike në Malin e Tërbunit (Pukë), ku fronti i flakëve është shtrirë në një gjatësi prej 10 kilometrash. - Ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi terreni në zonën e Iballë-Fierzës. - Autoritetet konfirmojnë shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit në Kulumri.