Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën e fshatit Tërbuq të Gjirokastrës, ku një automjet ka marrë flakë, duke shkaktuar përhapjen e një zjarri në sipërfaqe të gjera me bar dhe shkurre të thata. Zjarri, i cili u njoftua në orën 12:39, doli jashtë kontrollit për shkak të erës dhe kushteve të thatësirës.
Flakët kanë avancuar me shpejtësi drejt fshatrave Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël, duke shtuar rrezikun për zonat e banuara përreth. Për të përballuar situatën, Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër ka angazhuar të gjithë efektivin e saj në operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën në terren për të frenuar avancimin e mëtejshëm të flakëve dhe për të siguruar banesat në zonat e rrezikuara. Deri në këto momente, nuk janë raportuar të dhëna për persona të lënduar, ndërsa situata mbetet në zhvillim.
Përditësime
Zjarri është përhapur drejt zonës së Odries, duke ndryshuar trajektoren fillestare. Burime nga terreni raportojnë se flakët nuk përbëjnë më kërcënim për zonat e banuara të Labovës, pasi vatra është larguar nga perimetri i banesave.