Gjatë mbrëmjes së djeshme, një zjarr ka rënë në fshatin Veterik, në Bashkinë Berat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët kanë përfshirë fillimisht një magazinë të mbushur me materiale dhe prodhime bujqësore, e cila është shkrumbuar tërësisht si pasojë e intensitetit të lartë të zjarrit.
Zjarri është përhapur me shpejtësi drejt një banese dykatëshe, e cila ndodhej ngjitur me magazinën. Në momentin kur forcat zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, flakët kishin depërtuar tashmë në katin e parë të banesës, e cila është në pronësi të shtetasit Sokrat Delibashi.
Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur lokalizimin e flakëve dhe neutralizimin e plotë të tyre. Ky veprim parandaloi përhapjen e mëtejshme të zjarrit në pjesën tjetër të banesës, duke shpëtuar strukturën nga dëme më të rënda. Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe janë duke punuar për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në rënien e zjarrit.