Një situatë kritike është raportuar mbrëmjen e sotme në Krastë të Krujës, ku një vatër zjarri po përhapet me shpejtësi drejt zonave të banuara. Sipas dëshmive të banorëve, flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të kodrës, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë rreth 20 banesa.
Në vendngjarje është raportuar prania e vetëm një mjeti zjarrfikës, i cili, sipas banorëve të zonës, është i pamjaftueshëm për të përballuar përmasat e flakëve dhe për të ndalur përhapjen e mëtejshme. Për këtë arsye, ata kanë bërë thirrje për dërgimin e menjëhershëm të forcave shtesë dhe kërkojnë ndërhyrjen e mjeteve ajrore për të shuar zjarrin.
Kjo zonë njihet si problematike për shkak të historikut të vatrave të ngjashme, të cilat kanë rrezikuar edhe më parë banesat dhe sipërfaqet pyjore përreth. Përveç rastit në Krastë, ditën e sotme janë raportuar situata zjarresh edhe në zona të tjera të vendit, si në Dajt dhe Tërbun.