Gjatë pasdites së sotme, një zjarr ka rënë në katin e parë të hotelit Garden, i cili ndodhet në lagjen 18 Shtatori të qytetit të Gjirokastrës. Shërbimi i MZSH-së është njoftuar për këtë ngjarje në orën 15:03 nga një qytetare, duke bërë që një grup ndërhyrjeje të mbërrijë në vendngjarje brenda një kohe të shkurtër.
Zjarrfikësit kanë konstatuar se flakët kishin përfshirë kuzhinën e lokalit dhe kanë ndërhyrë duke përdorur fikëse pluhuri dhe ujë. Veprimet e shpejta të forcave zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen plotësisht të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në ambientet e tjera të hotelit.
Sipas verifikimeve paraprake, shkaku i incidentit dyshohet të jetë një pajisje gazi e mbetur ndezur, mbi të cilën ishte vendosur një tenxhere për ngrohjen e ujit. Përveç dëmeve të vogla materiale në kuzhinë, nuk raportohet për asnjë person të lënduar nga ky zjarr.