Një zjarr i rënë në metronë e Barcelonës ka shkaktuar panik mes pasagjerëve, duke lënë 136 persona të lënduar. Shumica e të prekurve kanë pësuar probleme shëndetësore për shkak të thithjes së tymit të dendur. Sipas njoftimeve nga shërbimet e emergjencës, 129 persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa 7 të tjerë janë në gjendje të moderuar. Aktualisht, 39 persona po marrin trajtim mjekësor në spital.
Ngjarja ka ndodhur në linjën L1 të metrosë, në segmentin që lidh stacionet Clot dhe Glòries. Tymi i shkaktuar nga zjarri ka mbushur tunelet, duke detyruar autoritetet të organizojnë evakuimin e menjëhershëm të pasagjerëve. Në stacionin Clot, i cili shërben edhe si nyje për stacionin hekurudhor Rodalies, ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për të nxjerrë udhëtarët nga një prej trenave.
Pasagjerët që ndodheshin në vendngjarje kanë përshkruar vështirësi të mëdha për shkak të errësirës dhe tymit, duke u detyruar të përdorin dritat e telefonave celularë për të orientuar veten drejt daljes.
Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë nisur pasi një pjesë e veshjes së tunelit u shkëput dhe më pas mori flakë. Autoritetet po vazhdojnë punën për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit. Si masë sigurie, është pezulluar përkohësisht qarkullimi në linjat L1 dhe L2, ndërsa itineraret e disa linjave të autobusëve janë ndryshuar për të përballuar fluksin e udhëtarëve.
Ky incident regjistrohet në një periudhë kur Spanja po përballet me temperatura të larta dhe një valë zjarresh në rajone të ndryshme. Megjithatë, autoritetet vendore kanë bërë të ditur se ende nuk ka asnjë konfirmim për ndonjë lidhje të mundshme midis kushteve atmosferike dhe zjarrit të ndodhur në metronë e Barcelonës.