Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në lagjen Sheq i Madh të qytetit të Fierit gjatë paradites së kësaj të premteje. Flakët, të cilat u konstatuan rreth orës 11:00, shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke e bërë banesën të pabanueshme. Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre në shtëpitë e tjera përreth.
Pronarja e banesës, e cila tentoi të ndërhynte për shuarjen e zjarrit, ka marrë djegie të rënda. Ajo u transportua fillimisht për në Spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, pritet të dërgohet drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar.
Familja prej 4 anëtarësh që banonte në këtë shtëpi ndodhet tashmë në një situatë të vështirë ekonomike, pasi zjarri e shkatërroi thuajse tërësisht banesën e tyre. Familjarët kanë bërë thirrje për ndihmë drejtuar institucioneve dhe qytetarëve për të siguruar një strehim të përkohshëm. Ndërkohë, autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të sakta që çuan në rënien e zjarrit.