Një vatër zjarri është regjistruar në një sipërfaqe me tokë dhe pyll në fshatin Peladhi, në Bashkinë Bulqizë. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, janë përhapur me shpejtësi, duke vënë në rrezik pyjet përreth dhe disa banesa që ndodhen në afërsi të vendngjarjes.
Forcat e shërbimit zjarrfikës të Bulqizës kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas disa orësh punë intensive, efektivët arritën të izolojnë vatrën dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt objekteve të banimit, duke shmangur kështu dëme më të mëdha materiale.
Aktualisht, puna për shuarjen e plotë të vatrave dhe monitorimi i zonës vijon. Lidhur me këtë ngjarje, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Institucionet përkatëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të karakterizuar nga temperatura të larta.