Pasditen e së mërkurës, një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu një parcelë me ullinj në afërsi të nënstacionit të energjisë elektrike Elbasan–Mjekës–Cerrujë–Gramsh. Flakët u regjistruan rreth 100 metra larg këtij objekti, duke shkaktuar përhapje të gjerë të tymit në zonë.
Menjëherë pas njoftimit, forcat zjarrfikëse dhe strukturat përkatëse u angazhuan për shuarjen e flakëve. Pavarësisht vështirësive në terren, ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur izolimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e plotë të tij, duke parandaluar përhapjen në sipërfaqe të tjera të mbjella dhe duke shmangur çdo dëm për infrastrukturën energjetike, pavarësisht raportimeve të ndryshme në media nëse bëhet fjalë për nënstacionin 400 kV apo 220 kV.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kompetente kanë nisur punën për hetimin e rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar origjinën e flakëve.