Pasditen e 14 gushtit 2026, një vatër e madhe zjarri përfshiu zonën e Paulesh–Vidhasasgjel, në Njësinë Administrative Pajovë të Bashkisë Peqin. Flakët, të cilat u shfaqën rreth orës 15:00 dhe u vunë nën kontroll në orën 17:50, përshkuan një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh, ku mbi 2 hektarë të mbjellë kryesisht me ullishte dhe barishte u shkrumbuan nga zjarri.
Në operacionin e ndërhyrjes morën pjesë 22 forca zjarrfikëse dhe 4 forca policore, ndërsa në terren kontribuan edhe banorët e zonës. Për shuarjen e plotë të vatrave dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve, u kërkua mbështetje nga strukturat zjarrfikëse të bashkive të Elbasanit, Cërrikut, Belshit dhe Rrogozhinës.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, dyshohet se zjarri është vënë me dashje. Deri në përfundim të ndërhyrjes, nuk është raportuar asnjë person i ndaluar në lidhje me këtë ngjarje. Po ashtu, autoritetet njoftuan se nuk pati nevojë për ndërhyrje të urgjencës mjekësore, pasi nuk pati asnjë person të lënduar nga flakët. Hetimet dhe verifikimet përkatëse vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.