Një zjarr i fuqishëm përfshiu të premten, më 25 shtator, tragetin e mallrave të tipit Ro-Ro, BLUE CARRIER 2, teksa lundronte në veri të ishullit Mykonos dhe në lindje të Androsit në detin Egje. Në momentin e rënies së flakëve, në bord ndodheshin gjithsej 29 persona, të cilët u evakuuan me sukses dhe u transportuan në ishullin Tinos nga mjetet e Rojës Bregdetare greke. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa të gjithë të evakuuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri u konstatua rreth orës 08:57, ndërsa anija po ndiqte itinerarin e saj nga Pireu drejt Vathit të Samosit. Dyshohet se flakët kanë nisur nga një kamion i parkuar në garazhin numër 4, duke u përhapur më pas me shpejtësi. Kompania pronare, Attica Group, njoftoi se procedurat e sigurisë u aktivizuan menjëherë pas sinjalizimit. Në operacionin e shuarjes u përfshinë mjete zjarrfikëse të dërguara nga Syrosi, Mykonosi, Lavrio dhe Pireu, si dhe anije të tjera që ndodheshin në afërsi të zonës.
Trageti BLUE CARRIER 2, i ndërtuar në vitin 1997, transportonte 166 kamionë dhe 29 automjete të tjera. Autoritetet kompetente kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit. Kompania ka kontraktuar gjithashtu shërbime të specializuara për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e mjedisit në zonën ku ndodhet anija.