Në territorin e Qarkut të Lezhës vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri. Sipas përditësimit të datës 22 gusht, situata paraqitet e stabilizuar në Bashkinë Kurbin, ku nuk raportohen më probleme.
Në Bashkinë Lezhë, zjarri i ardhur nga fshati Vrrith i Pukës mbetet aktiv në malin e Kashnjetit, duke u shtrirë drejt fshatrave Kashnjet dhe Kalivaç. Operacioni i shuarjes vështirësohet nga terreni i thyer, i cili nuk lejon përdorimin e mjeteve zjarrfikëse. Vatra po monitorohet nga 3 punonjës të shërbimit pyjor dhe 4 përfaqësues të njësisë administrative.
Bashkia Mirditë paraqet një situatë më komplekse, ku vatra më problematike ndodhet në fshatin Tenë të Njësisë Administrative Rrëshen. Prej orës 06:30 të mëngjesit, ekipet e emergjencës, përfshirë forcat ushtarake, po ndërhyjnë me mjete zjarrfikëse dhe struktura bashkiake për vënien e zjarrit nën kontroll. Gjithashtu, vatra në fshatin Shtuf (Njësia Administrative Kaçinar) mbetet aktive, ndërsa vatra në fshatin Perlat i Epërm ndodhet nën monitorim. Autoritetet konfirmojnë se aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Infrastruktura mbetet funksionale, me furnizim të rregullt me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Akset rrugore janë të kalueshme në të gjithë qarkun, ndonëse raportohet trafik i rënduar në qytetin e Lezhës dhe në aksin nacional Laç-Lezhë-Shkodër. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat raportohen në vlera minimale.