Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se vendi përballet ende me sfida të mëdha në përpjekjet për të vënë plotësisht nën kontroll zjarret që kanë përfshirë zonat pranë Madridit. Pavarësisht përparimit të shënuar nga autoritetet në frenimin e flakëve, kreu i qeverisë spanjolle theksoi se situata mbetet delikate dhe se vendin e presin ende “disa orë të vështira” në vijim.
Gjatë një vizite në zonat e prekura në Avila, Sánchez shpjegoi se forcat e emergjencës po punojnë për të konsoliduar sektorët ku zjarret janë vënë në kontroll, ndërsa disa vatra mbeten ende aktive. “Po punojmë për të konsoliduar zona të caktuara ku duket se zjarret mund të jenë vënë në kontroll dhe shuar tashmë”, u shpreh kryeministri.
Nënkoloneli Alfonso Arribas, drejtues i Njësisë Ushtarake të Emergjencave, konfirmoi arritjen e një përparimi të konsiderueshëm përgjatë perimetrit të zjarreve. Megjithatë, ai vuri në dukje se ndërhyrja e ekipeve të specializuara mbetet jetike në pikat e nxehta ku rreziku nuk është eliminuar plotësisht.
Kryeministri spanjoll shprehu shqetësimin për përkeqësimin e situatës gjatë sezonit aktual të zjarreve. Ai bëri të ditur një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së përfshirë nga flakët në të gjithë vendin, duke njoftuar se brenda një harku kohor prej më pak se 24 orësh, hapësira e djegur është zgjeruar nga 130 mijë në 150 mijë hektarë.