Prej 3 ditësh, një vatër zjarri në masivin pyjor të zonës së Tërbunit në Pukë vijon të mbetet aktive dhe me intensitet të lartë. Erërat e forta që mbizotërojnë në zonë kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke vënë në rrezik infrastrukturën kritike, siç është stacioni rezervë i furnizimit me ujë të qytetit të Pukës, si dhe një banesë në afërsi.
Ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e angazhuara në terren po vijojnë përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll dhe për të izoluar vatrat aktive. Megjithatë, operacioni po përballet me vështirësi të konsiderueshme për shkak të terrenit të thyer malor dhe kushteve të pafavorshme atmosferike. Në këtë situatë, autoritetet kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të shmangur dëmet e mundshme në banesa dhe në rrjetin e furnizimit me ujë.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa forcat në terren vazhdojnë punën për menaxhimin e zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.