Një zjarr i madh ka përfshirë kompleksin e pallateve pranë QSUT-së në Tiranë. Forcat zjarrëfikëse dhe policia kanë evakuar banorët dhe po punojnë për lokalizimin e vatrave të zjarrit.
Skënder Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deklaroi se nuk ka akoma vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara, pasi nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet. Dy banorë u evakuar në momentin e parë nga shërbimet zjarrëfikëse dhe policia. Ata nuk kanë probleme shëndetësore të rënda përveç asfiksisë. Punonjës të shërbimit zjarrëfikës janë paraqitur në QSUT dhe janë mirë me shëndet.
Hita theksoi se repartet e FNSH-së dhe ato speciale të RENEA-së u vunë në dispozicion të forcave zjarrëfikëse për hapjen e dyerve dhe shmangien e humbjeve në jetë. Autoritetet po grumbullojnë të gjitha provat e nevojshme, duke përfshirë kamerat e sigurisë, për të kryer procedurat hetimore. Nëse zjarri është shkaktuar nga persona të jashtëm, do të merren masa ekstreme.
Arben Cara, drejtor i përgjithshëm i MZSH-së, deklaroi se flakët ende nuk janë lokalizuar plotësisht brenda apartamenteve. Ai shtoi se po punohet intensivisht për shuarjen e tyre dhe se Tirana është mobilizuar me të gjitha kapacitetet zjarrëfikëse. Zjarri ka përfshirë seksionin veri-lindor, nga kati i parë deri në atë të fundit, por është lokalizuar për të mos u përhapur në kullat përreth. Cara ka komunikuar me drejtorin e Policisë, drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile dhe ministrin e Brendshëm.