Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog” të RTSh1, komentoi procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si intrigë ndërkombëtare.
Ai theksoi paradoksin e gjykimit të UÇK-së si grup i strukturuar kriminal, ndërkohë që sipas tij ajo ishte lëvizje politiko-ushtarake e legjitimuar si palë ndërluftuese gjatë luftës në Kosovë. Zogaj vlerësoi se veprimet e kryera gjatë luftës janë të legjituara si ato të një pale luftarake dhe jo si akte terroriste.
Sa i përket rolit të Ibrahim Rugovës, Zogaj u shpreh se ai e kufizoi aspiratën kombëtare të Kosovës në një shtet të lirë e të pavarur, të lidhur me SHBA, në miqësi me Shqipërinë dhe Serbinë. Ai përmendi se komuniteti ndërkombëtar ia atribuoi përgjegjësinë Slobodan Miloševiqit, pasi pavarësia nuk mund të arrihej me paqe.
Lidhur me ecurinë e gjyqit ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, Zogaj parashikoi se gjykata do të rrëzojë pjesën më të madhe të akuzave. Ai përmendi si faktor kohëzgjatjen e paraburgimit dhe prapavijën ndërkombëtare në formulimin e akuzës, duke thënë se nuk shihet kompensim për të pandehurit.