Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, u takua të martën në Berlin me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum. Në qendër të bisedimeve ishte marrja e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zulfaj tha se Kosova ka shënuar përparimin më të madh demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, ky përparim duhet të pasqyrohet me hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, përmes një vlerësimi të drejtë dhe të bazuar në merita.
Ai vlerësoi se pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron këtë përparim. Gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
Zulfaj tha gjithashtu se mungesa e vendimmarrjes së BE-së për statusin kandidat bie ndesh me premtimin e dhënë në Samitin e Selanikut dhe me deklaratat e përsëritura të Bashkimit Evropian për perspektivën e Kosovës për anëtarësim.
Në këtë kontekst, ai kërkoi që Gjermania, të cilën e cilësoi si vend kyç të BE-së, të luajë rol aktiv në nxitjen e vendimmarrjes për statusin kandidat të Kosovës. Në përfundim të takimit, Zulfaj falënderoi Krichbaum për bashkëbisedimin e hapur.