Dymbëdhjetë eurodeputetë i janë drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, duke kërkuar sqarime për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave në Shqipëri dhe respektimin e të drejtave të protestuesve e të personave të ndaluar. Mes nënshkruesve është Fredi Beleri, ndërsa nismën e ka ndërmarrë Reinhold Lopatka, drejtues i delegacionit austriak të Partisë Popullore Europiane (PPE). Shumica e firmëtarëve i përkasin PPE-së dhe janë pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Në letër përmenden raportimet për përdorim joproporcional të forcës gjatë protestave dhe plagosjen e protestuesve e gazetarëve nga plumbat e gomës. Eurodeputetët i referohen edhe hetimit të Avokatit të Popullit, i cili synon të vlerësojë nëse ndërhyrjet policore kanë qenë të domosdoshme dhe në përpjesëtim me situatën. Ata ngrenë shqetësime edhe për garancitë e personave të ndaluar, veçanërisht të miturve.
Nënshkruesit kujtojnë se Komisioni Europian, në deklaratën e 18 tetorit, dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet në përdorimin e forcës. Sipas tyre, deklarata nuk e trajtoi mjaftueshëm llogaridhënien për shkeljet e pretenduara. Ata kërkojnë të dinë se çfarë hapash do të ndërmarrë Kallas, përmes Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për t’ua paraqitur shqetësimet autoriteteve shqiptare.
Eurodeputetët kërkojnë hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive për përdorimin e forcës, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të personave të ndaluar. Kërkesa përfshin shqyrtimin e përgjegjësisë së drejtuesve të operacioneve policore, publikimin e rezultateve të hetimeve dhe marrjen e masave gjyqësore ose disiplinore në rastet kur konstatohen shkelje.
Për personat e ndaluar, veçanërisht të miturit, letra kërkon zbatimin e legjislacionit shqiptar dhe të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Eurodeputetët përmendin bashkëpunimin me Avokatin e Popullit dhe monitorimin e pavarur të rasteve.
Nënshkruesit e lidhin çështjen me negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe detyrimet e vendit në Grupkapitullin 1, “Themeloret”. Ata kërkojnë që llogaridhënia e policisë dhe mbrojtja e të drejtave themelore të ndiqen konkretisht. Sipas tyre, kur evidentohen mangësi, duhen përcaktuar angazhime të matshme për trajtimin e tyre dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.
Në letrën e plotë, eurodeputetët përshkruajnë demonstratat si protesta kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike. Ata thonë se protestat janë përshkallëzuar dhe se kjo ka ngritur shqetësime për sjelljen e policisë.