Rreth 200 mijë njerëz morën pjesë në tubimin e madh në Mynih të Gjermanisë kundër regjimit iranian, sipas policisë vendase. Ngjarja ndodhi të shtunën në kryeqytetin bavarez, ku zhvillohet Konferenca e Sigurisë së Mynihut me praninë e liderëve botërorë.
Protestuesit u mblodhën në Sheshin Terezinvice, duke kërkuar rënien e Republikës Islamike pas shtypjes së përgjakshme të demonstratave në Iran që nga fundi i dhjetorit. Shumë mbajtën flamuj me vija jeshile, të bardha dhe të kuqe, si dhe emblemën e luanit dhe diellit, simbol të monarkisë së rrëzuar në 1979. Organizata Munich Circle kishte parashikuar 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë mijëra viktima në protesta brenda Iranit.
Tubime të ngjashme u planifikuan në Toronto dhe Los Angeles. Javën e kaluar, rreth 10 mijë veta demonstruan në Berlin, përgjigje ndaj thirrjes së Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, krahu politik i Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, grup opozitar në mërgim që Teherani e cilëson terrorist.
Gjatë konferencës, Reza Pahlavi, djali në mërgim i Shahut të rrëzuar, foli kundër regjimit dhe i bëri thirrje Donald Trump-it për ndihmë popullit iranian. "Ka ardhur koha për t’i dhënë fund Republikës Islamike", tha ai, duke shtuar se bashkatdhetarët kërkojnë varrosjen e regjimit, jo reformën. Pahlavi, që jeton në Nju Jork, nuk konfirmoi pjesëmarrjen në protestë.
Në të njëjtën konferencë, Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme Anita Anand deklaroi se Kanadaja dëshiron ndryshimin e qeverisë në Iran dhe vendosi sanksione ndaj shtatë zyrtarëve iranianë për shkelje të të drejtave të njeriut. Ottawa ndërpreu lidhjet diplomatike me Teheranin në 2012.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio theksoi unitetin transatlantik: "SHBA është fëmija e Evropës" dhe nuk dëshiron fundin e epokës transatlantike.
Autoritetet gjermane morën masa sigurie të shtuara, duke mbyllur hapësirën ajrore mbi Mynih.