Policia Rrugore e Tiranës bëri të ditur se, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe përdorimit të pajisjeve teknologjike moderne, gjatë 72 orëve të fundit janë konstatuar dhe sanksionuar 244 shkelje të Kodit Rrugor.
Kontrollet u zhvilluan në akset kryesore, dytësore dhe nyje lidhëse të kryeqytetit, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit të qarkullimit.
Shkeljet administrative përfshijnë:
• 101 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 80 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
• 63 masa për mosrespektimin e radhës në trafik.
Për shkelje më të rënda të Kodit Rrugor dhe vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
• 23 persona janë proceduar penalisht ose arrestuar;
• 19 automjete janë tërhequr në karrotrec.
Policia Rrugore apelon te drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke kontribuar kështu në parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.