Një grup prej të paktën 55 anëtarësh të Parlamentit Evropian i ka drejtuar një letër zyrtare presidentëve të federatave të futbollit të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ata kërkojnë ndërhyrje dhe hetim mbi mënyrën e trajtimit të rastit të futbollistit Folarin Balogun.
Eurodeputetët kërkojnë të zbardhet nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka pasur rol në vendimin për shtyrjen e pezullimit të lojtarit, gjë që i mundësoi atij pjesëmarrjen në ndeshjen e fazës 1/8-ave të Kupës së Botës kundër Belgjikës. Po ashtu, kërkohet të hetohet nëse ka pasur presion nga Shtetet e Bashkuara në këtë proces vendimmarrës.
Në dokument, iniciuesit e kërkesës, eurodeputetët Lara Wolters (Holandë), Niels Fuglsang (Danimarkë) dhe Barry Andrews (Irlandë), theksojnë se Statuti dhe Kodi i Etikës i FIFA-s detyrojnë organizatën të ruajë neutralitet të plotë politik. Sipas tyre, federatat anëtare kanë detyrimin ligjor dhe moral të kërkojnë llogari nga drejtuesit e FIFA-s nëse ekzistojnë prova se ky parim është shkelur.
Në letër paralajmërohet se çdo vendimmarrje e ndikuar nga faktorë të jashtëm do të përbënte shkelje të rëndë të detyrimeve të institucionit. Deri më tani, FIFA nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar ndaj këtyre kërkesave të parlamentarëve evropianë.