Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), prezantoi 15 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të Republikës së Kosovës. Ky veprim u bë në hollin e Kuvendit, në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri.
LDK reagoi ashpër ndaj zhvillimeve në seancë, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rëndë kushtetuese. Sipas tyre, nisja e votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe përmbysje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë për media, LDK deklaroi se ky procedim cenon shtetin dhe abuzon me Kuvendin. "Ky është abuzim i hapur me Kuvendin e Kosovës, shkelje e rëndë e rendit kushtetues dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik", thuhet në reagim.
Partia nënvizon se Republika nuk mund të merret peng dhe rendi kushtetues nuk është i negociueshëm. Për aktin e zhvilluar, paralajmërojnë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale.
Përditësime
Lumir Abdixhiku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përmbysje të rendit kushtetues.
"Sonte, gjatë seancës, Lëvizja Vetëvendosje ndërmori hapa që përbëjnë përmbysje të rendit kushtetues," tha Abdixhiku.
Ai prezantoi 15 nënshkrimet e LDK-së për Vjosën Osmani.
Afati përfundimtar për zgjedhjen e presidentit është 15 marsi. Dështimi i procesit mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeministri Albin Kurti kritikoi listën e LDK-së, të publikuar rreth orës 23:00 pa emrin e kandidatit dhe pa u dorëzuar në LVV. Ai propozoi: Nëse LDK dorëzon 15 nënshkrime me emra të qartë dhe datë të sotme, Kurti do të kërkojë tërheqjen e Hatixhe Hoxhës dhe do të votojë Feride Rushitin si dhe kandidatin e LDK-së.
Lumir Abdixhiku nuk specifikoi nëse 15 nënshkrimet e LDK-së ishin për Vjosa Osmanin apo një emër tjetër. Ai deklaroi: „Ja ku janë 15 nënshkrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Besoj se kjo është dashur ta përmbyllë gjithë debatin. Këto nënshkrime s’kam dashur t’i bëj pjesë e lojërave politike. LDK nuk propozon diçka që s’mund t’i qëndrojë prapa.“