Policia e Abu Dhabin ka arrestuar 109 persona të kombësive të ndryshme, pasi ata kishin filmuar ngjarje dhe vende gjatë tensioneve në Lindjen e Mesme dhe kishin shpërndarë informacione të pasakta në rrjetet sociale.
Autoritetet kanë cilësuar këto veprime si shpërndarje të informacionit mashtrues, që përhapnin lajme të rreme, thashetheme dhe mund të nxisnin panik në publik, duke ndikuar negativisht në sigurinë shoqërore.
Në një deklaratë në platformën X, policia theksoi se disa prej personave kishin ndarë material mashtrues, duke rrezikuar opinionin publik. Autoritetet kanë marrë masat ligjore dhe administrative ndaj të arrestuarve, në kuadër të monitorimit të platformave sociale për të ndaluar abuzimet.
Policia e Abu Dhabin nënvizoi se sjellje të tilla përbëjnë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. U bë thirrje qytetarëve të mos publikojnë apo shpërndajnë materiale të paverifikuara, duke u mbështetur vetëm në burimet zyrtare.
“Është e domosdoshme të mos filmohet apo të shpërndahen pamje nga vendet e ngjarjeve, për të ruajtur sigurinë dhe interesin e përgjithshëm”, thuhet në njoftim.