Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatitet të financojë me 4 milionë dollarë media të krahut të djathtë në Evropë, si pjesë e një pakete më të gjerë fondesh prej të paktën 25 milionë dollarësh për organizatat e shoqërisë civile që promovojnë kauza konservatore në këtë rajon. Sipas burimeve të cituara nga agjencia Reuters, ky plan u njoftua për Kongresin e SHBA-së nga Byroja për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën (DRL) më 21 gusht.
Sipas dokumenteve, fondet janë ndarë në dy programe kryesore:
• 3 milionë dollarë për një program që do të dokumentojë dhe analizojë rënien e demokracisë në Evropë në lidhje me migrimin, skenën e medias së pavarur dhe axhendat legjislative të entiteteve mbikombëtare.
• 1 milion dollarë për krijimin e një konsorciumi gazetarësh të pavarur që do të mbulojnë çështje si sovraniteti kombëtar, të drejtat natyrore dhe liria fetare.
Ndërsa Departamenti i Shtetit thekson se programet synojnë të forcojnë marrëdhëniet transatlantike dhe promovimin e demokracisë, duke saktësuar se nuk financojnë parti politike, kjo nismë ka nxitur shqetësime për ndërhyrje në politikën e brendshme evropiane. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka deklaruar se vendet evropiane nuk do të tolerojnë përpjekje për ndërhyrje të huaja në proceset e tyre zgjedhore, pavarësisht nga burimi i tyre.
Këto fonde për Evropën janë pjesë e një pakete më të madhe globale të Departamentit të Shtetit, që kap vlerën e rreth 180 milionë dollarëve. Ky propozim përfshin gjithashtu mbështetje për shoqërinë civile në Brazil, dokumentimin e të drejtave të pakicave në Afrikën e Jugut, si dhe programe për promovimin e demokracisë në Kinë dhe Kore të Veriut. Procesi i ndarjes së fondeve pritet të finalizohet deri në fund të muajit shtator.