Në seancën gjyqësore lidhur me sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, prezantoi gjetjet shkencore mbi provat e sekuestruara. Ademi raportoi se pas ekzaminimit të 50 dëshmive dhe mostrave të ADN-së, janë vërtetuar përputhje me profilet e të akuzuarve Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq.
Sipas dëshmisë, në provën e shënuar si dëshmia numër 4, që përfaqëson një fitil kabllo ndezës me gjatësi 9 metra, janë gjetur gjurmë gjenetike që korrespondojnë me profilin e Jovan Viqentijeviqit. Eksperti sqaroi se nga 24 lokuse të gjeneve të analizuara, shenjat e këtij të akuzuari u konfirmuan në 20 vende. Ademi theksoi se bëhet fjalë për një profil të përzier ADN-je, ku gjurmët kryesore i përkasin të akuzuarit, ndërsa të tjerat dyshohet se u përkasin dy personave ende të paidentifikuar.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, kërkoi sqarime mbi rezultatet e analizave shtesë të dërguara për interpretim në një laborator në Romë, Itali. Dëshmitari konfirmoi se raporti italian nuk ka pasur kundërthënie me gjetjet e laboratorit në Prishtinë. Përkundrazi, ai deklaroi se ekspertiza ndërkombëtare ka përforcuar sinjalin dhe përfundimet e mëparshme, duke ndërlidhur shkencërisht të akuzuarin Jovan Viqentijeviq me provën e sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Eksperti siguroi trupin gjykues se të gjitha procedurat janë bazuar në metoda të avancuara dhe të validuara, duke ndjekur standarde shkencore për secilin proces të ekstrahimit të ADN-së.
Përditësime
Prokuroria ka identifikuar Igor Dimoviqin si të akuzuarin e tretë në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ku është gjetur edhe ADN-ja e Jovan Viqentijeviqit. Drejtori i Infrastrukturës, Ernest Kërçeli, dëshmoi sot se dëmi financiar kap vlerën e 375 mijë eurove. Para trupit gjykues, Kërçeli deklaroi se sabotimi synonte të shkaktonte pasoja katastrofale për sistemin energjetik dhe shëndetësor, duke rrezikuar furnizimin me energji dhe shërbimet kritike spitalore.
Në seancën e sotme, eksperti i mjekësisë ligjore, Fatmir Ademi, sqaroi detajet teknike të analizave gjenetike. Ai konfirmoi se laboratori në Prishtinë kreu ekstrahimin dhe vlerësimin paraprak, ndërsa rezultatet u dërguan për interpretim në Itali për shkak të mungesës së softuerit të specializuar. Ademi përjashtoi përfshirjen e të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, duke bërë të ditur se analizat nuk gjetën përputhshmëri të ADN-së së tij me provat. Prokuroria paraqiti listën e provave të sekuestruara në vendin e ngjarjes: litar, pjesë dore çantë, kapelë, dy fitila kabllo ndezës dhe pjesë të një çante të zezë.