Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet dhe kandidatët që të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.
Kandidati Igor Simiq, i dytë më i votuari i Listës Serbe, ka paralajmëruar një ankesë pas vendimit të së shtunës. Lista e kandidatëve të kësaj partie nuk u miratua për shkak të dy votave kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe abstenimit të pjesës tjetër të anëtarëve të KQZ-së.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP ka katër ditë afat për të shqyrtuar ankesat. Dy ditë pas vendimit të PZAP-së, palët mund të ankohen në Gjykatën Supreme, e cila ka tre ditë për vendimmarrje përfundimtare.
Duke llogaritur afatet ligjore, vendimmarrja finale mund të zgjasë deri në mes të shkurtit.