Gjykata Supreme ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave. Brenda ditës së sotme pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët e interesuara.
Këtë e ka bërë të ditur udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu. Gjykata ka shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së.
Ankesat janë paraqitur nga:
- Dy ankesa nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu;
- Një ankesë nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës;
- Një ankesë nga koalicioni PAI-PDAK-LPB;
- Një ankesë nga Emilia Rexhepi;
- Një ankesë nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka) në Prizren.
Nëse Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, atëherë i hapet rruga certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Pas certifikimit, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, nga shtatë ankesa e dërguara në PZAP, ky panel ka pranuar vetëm atë të Listës Serbe, e cila ishte kundër vendimit të KQZ-së për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare të këtij subjekti politik.
Përditësime
Gjykata Supreme refuzoi gjashtë ankesat kundër vendimeve të PZAP-së si të pabazuara dhe konfirmoi vendimet e saj. Pretendimet për parregullsi, manipulime apo shkelje kuotash nuk u mbështetën me prova konkrete. Gjithçka është gati për certifikimin e rezultateve zgjedhore nga KQZ.