Në prag të zgjedhjeve për parlamentin e landit Saksoni-Anhalt, sondazhet e fundit tregojnë një epërsi të qartë të partisë AfD. Sipas të dhënave të publikuara nga media publike gjermane ARD, kjo forcë politike mund të arrijë 42% të votave, duke dyfishuar mbështetjen e saj krahasuar me rezultatet e vitit 2021 dhe duke regjistruar shifrën më të lartë në historinë e saj në zgjedhjet rajonale gjermane.
Nga ana tjetër, CDU-ja renditet e dyta me 22% të votave, një shifër që shënon rezultatin më të ulët historik të kësaj partie në këtë land. Krahasuar me sondazhin e zhvilluar në fund të korrikut, kristiandemokratët kanë pësuar një rënie prej 2%.
Sa u përket forcave të tjera politike, renditja sipas sondazhit është si vijon:
- E Majta: 11% (-2% krahasuar me vitin 2021)
- SPD: 8% (+1% krahasuar me vitin 2021)
- Të Gjelbrit: 6% (+1% krahasuar me vitin 2021)
- BSW: 4% (nën pragun zgjedhor)
- FDP: 3%
Sondazhi, i realizuar nga instituti infratest dimap nëpërmjet intervistimit të 1.511 qytetarëve me të drejtë vote, thekson se këto rezultate nuk përbëjnë parashikim të saktë të rezultatit zgjedhor. Ekspertët sqarojnë se rreth 11% e votuesve ende mund të ndryshojnë mendim deri ditën e votimit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e elektoratit, rreth 19%, anon drejt mosvotimit ose mbetet e pavendosur. Zgjedhjet, të cilat do të mbahen më 6 shtator, vlerësohen si një provë e rëndësishme për partitë tradicionale gjermane.