Në kuadër të fluksit të vazhdueshëm të turistëve të huaj, qeveria shqiptare ka njoftuar angazhimin e shtuar të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) në të gjitha pikat hyrëse të vendit. Kryeministri Edi Rama theksoi se ky shërbim synon të garantojë një sistem të përmirësuar informacioni për vizitorët, duke ofruar guida, harta dhe materiale të detajuara mbi atraksionet dhe itineraret turistike.
Nëpërmjet rrjeteve sociale, kreu i qeverisë ndau pamje nga puna e stafeve në terren, të cilat asistojnë turistët menjëherë pas mbërritjes së tyre. Sipas Edi Ramës, ky angazhim është pjesë e përpjekjeve për të mundësuar një eksplorim më të lehtë të bukurive dhe përvojave që vendi ofron për vizitorët nga e gjithë bota.
Ndërkohë, vizitorë të huaj kanë ndarë përvojat e tyre pozitive mbi qëndrimin në qytete të ndryshme shqiptare. Destinacionet si Vlora, Durrësi, Kruja, Tirana, Golemi, Gjirokastra dhe Berati u përmendën nga pushuesit si ndalesa kryesore të udhëtimeve të tyre. Turistët vlerësuan pritjen e ngrohtë, duke theksuar se në qytetet shqiptare ndihen si në shtëpinë e tyre. Disa prej tyre planifikojnë qëndrime që variojnë nga disa ditë deri në dy javë, duke shprehur dëshirën për t'u rikthyer në destinacione të caktuara.