Qyteti bregdetar i Durrësit vijon të jetë një ndër zgjedhjet më të preferuara për turistët e huaj gjatë këtij sezoni veror. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video që përmbledh përshtypjet e pushuesve të ndryshëm, të cilët po kalojnë pushimet në bregdetin e Adriatikut. Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë theksoi se kombinimi i detit, historisë, kulturës dhe mikpritjes shqiptare krijon një përvojë të veçantë për çdo vizitor.
Në dëshmitë e tyre, pushues nga Gjermania, Holanda, Anglia, Republika Çeke dhe Italia shprehen pozitivisht për bregdetin dhe kushtet e qëndrimit. Një vizitor nga Londra e cilësoi Shqipërinë si një destinacion mjaft të përshtatshëm përballë temperaturave të larta, duke e krahasuar klimën me atë të vendit të tij. Të tjerë e vlerësuan Durrësin si një alternativë që ofron çmime të favorshme dhe qytetarë miqësorë.
Turistët kanë vlerësuar mikpritjen e vendasve dhe cilësinë e ushqimit, të cilin e konsiderojnë të shijshëm dhe me çmime të arsyeshme. Për sa i përket rikthimit, vizitorët shprehen se do të ndajnë përvojat e tyre pozitive me miqtë dhe familjarët, duke i ftuar ata të vizitojnë vendin tonë. Një prej tyre thekson: "Do t'ua sugjeroja miqve që të vizitojnë Shqipërinë. Do t'ua këshilloja miqve të mi të vijnë këtu, merrni edhe familjet tuaja. Do të vijmë përsëri. Unë do të thoja: eja në Shqipëri".