Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i vendosur brenda kalasë së Krujës, vijon të jetë një ndër pikat kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kompleks muzeor, duke theksuar fluksin e vazhdueshëm të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Qendra Muzeore e Krujës, e cila përfshin Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik, shërben si një dëshmi e historisë dhe traditave shqiptare. Muzeu kryesor, i përuruar më 1 nëntor 1982, është ndërtuar me arkitekturë që i ngjan kullës së Veriut dhe pasqyron periudha të ndryshme historike, si Mesjetën e Hershme, principatat shqiptare dhe qëndresën përballë pushtimit osman.
Statistikat tregojnë se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, numri i vizitorëve në këtë qendër muzeore ka arritur në 86 mijë, ku 13 mijë prej tyre janë regjistruar vetëm në Muzeun Etnografik. Përtej vlerave historike të muzeut, vizitorët gjejnë një destinacion të pasur edhe përmes Pazarit të Vjetër të Krujës, ku artizanët lokalë vijojnë të promovojnë traditën përmes produkteve të tyre artizanale.