Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënoi sulmin fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli, i cili ndodhi nga disa persona pasditen e së hënës.
Sipas njoftimit të mediumit Nacionales, ku punon Pacolli, sulmi dyshohet se ka ardhur nga një reper, për të cilin gazetari kishte bërë recension të punës së tij.
Në reagimin e saj, AGK e dënoi fuqishëm aktin, që cënoi integritetin fizik të gazetarit, dhe ftoi Policinë e Kosovës për gjetjen dhe kapjen e autorit/autorëve pas denoncimit të bërë nga Pacolli.
AGK theksoi se liria e shprehjes, kritikës dhe raportimit është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe asnjë gazetar nuk mund të jetë pre e sulmeve për shkak të zbatimit të kësaj të drejte.