Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, po zhvillon një vizitë zyrtare 3-ditore në Suedi. Në kuadër të këtij udhëtimi, ai zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të parlamentit suedez, përfshirë Nënkryetarin e Parë të Parlamentit, Kenneth G. Forslund, Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Aron Emilsson, dhe Nënkryetaren e Komisionit për Bashkimin Evropian, Matilda Ernkrans.
Sipas njoftimit të deputetit, fokusi i bisedimeve ishte mbi sfidat e demokracisë në Shqipëri, me theks te legjitimiteti i zgjedhjeve, pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe funksionimi i Kuvendit. Gjekmarkaj ngriti shqetësime në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke theksuar atë që ai e cilëson si presion ndaj sistemit të drejtësisë dhe cenim të të drejtave të opozitës.
Në emër të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha, Gjekmarkaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 35 viteve të tranzicionit demokratik. Pala suedeze shprehu gatishmërinë për të mbështetur vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe përballimin e sfidave demokratike.