Një aksident trafiku me pasoja të rënda ka ndodhur të shtunën në orët e vona në rrugën L406, në zonën e Flattendorfit në Austri. Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:05, në kilometrin 20.1, kur një 25-vjeçare nga Kosova u përplas ballë për ballë me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt, ndërsa ajo ishte duke udhëtuar në drejtim të Schildbachut.
Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy drejtuesit e mjeteve pësuan lëndime të rënda. 25-vjeçarja është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Oberwartit. Shoferi tjetër, një 27-vjeçar austriak, mbeti i bllokuar në mjet dhe u nxor nga ekipet e emergjencës. Ai u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Hartbergut, për t'u dërguar më pas me helikopter në Spitalin Rajonal të Gracit, ku mjekët raportojnë se gjendja e tij është kritike.
Sipas autoriteteve austriake, 25-vjeçarja ka rezultuar negative në testin e alkoolit. Përkundrazi, 27-vjeçari austriak është gjetur në gjendje të rëndë të dehur, ndërsa është konstatuar se ai po drejtonte automjetin pa patentë të vlefshme. Për shkak të hetimeve dhe operacioneve të shpëtimit, rruga L406 mbeti e mbyllur për qarkullim për rreth një orë e gjysmë.