Një aksident rrugor është shënuar ditën e sotme në aksin Sarandë-Delvinë, në afërsi të fshatit Karahaxh. Mjeti tip Golf me targa AB 974 VC, i drejtuar nga 16-vjeçari D. Cauli, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Pas njoftimit të kalimtarëve të rastit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I mituri është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Sarandës, ku mjekët kanë konstatuar thyerje të këmbës dhe dëmtime të tjera të lehta. Aktualisht, po punohet për transferimin e tij drejt një spitali në Tiranë.
Në deklaratën e tij paraprake, drejtuesi i mjetit ka pretenduar se dyshon që mjeti të jetë fërkuar me një automjet tjetër, ndonëse ka deklaruar se nuk ka një kujtesë të qartë mbi rrethanat e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.