Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në aksin nacional Berat–Ura e Kuçit, në fshatin Poshnje, ku një automjet ka përplasur një shtetas që po lëvizte me biçikletë. I plagosuri, Endri Selfaj, është gjetur i shtrirë në rrugë nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar shërbimet e policisë.
Sipas informacioneve, drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë të dëmtuarit. Endri Selfaj është transportuar fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe plagëve të marra, ai është përcjellë me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për kryerjen e veprimeve hetimore. Autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përgjatë këtij aksi rrugor. Ky veprim synon identifikimin e automjetit që shkaktoi aksidentin dhe kapjen e drejtuesit të tij, i cili mbetet ende në kërkim.