Një aksident rrugor është regjistruar këtë mesditë në Rrugën e Kombit, në afërsi të qytetit të Kukësit. Një automjet tip “Benz” ka humbur kontrollin, duke dalë nga karrexhata dhe ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës.
Mjeti ka vijuar lëvizjen për rreth 20 metra përgjatë kanalit përpara se të përplasej me një strukturë betoni. Në automjet ndodhej vetëm drejtuesi, i cili pas ndërhyrjes është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së Spitalit të Kukësit. Sipas burimeve spitalore, drejtuesi ka marrë dëmtime në këmbë, por lëndimet janë vlerësuar të lehta dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë patrulla të Policisë Rrugore të Autostradës dhe punonjës të koncesionarit të Rrugës së Kombit për menaxhimin e situatës. Grupi hetimor është duke punuar për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në daljen e automjetit nga rruga.