Bashkia e Lezhës ka ndërmarrë një operacion për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Shëngjinit, pas konstatimit të shkeljeve në lidhje me zaptimin e vijës bregdetare nga subjekte private. Aksioni, i cili u zhvillua pas përfundimit të afateve për lidhjen e kontratave të shfrytëzimit të plazhit, u realizua në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake dhe Drejtorinë e Shërbimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrolleve të kryera ditën e sotme, u evidentuan shkelje në 5 subjekte të ndryshme, të cilat kishin vendosur shezllone dhe çadra tej normave të përcaktuara ose në hapësira të destinuara për përdorim publik pa pagesë. Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, deklaroi se ky operacion synon respektimin e plan-vendosjeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
“Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po shikojmë çdo hapësirë publike që t’i kthehet pushuesve. Garancia jonë është që t’i kthejmë qytetarëve hapësirat e miratuara dhe të garantojmë një sezon turistik sa më cilësor”, u shpreh Xhanej.
Autoritetet vendore bënë të ditur se rreth 80% e hapësirës së bregdetit në Lezhë administrohet nga bashkia, ku 60% e saj është e përcaktuar si zonë e lirë pa pagesë për pushuesit. Kontrollet në vijën bregdetare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë sezonit veror për të shmangur çdo formë të zaptimit të paligjshëm të hapësirave publike.