Gjatë ditës së sotme, e premte, Policia Bashkiake e Vlorës ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike në plazhe, të cilat rezultuan të zaptuara në mënyrë të paligjshme. Kjo masë synon të shmangë pengesat në aksesin e qytetarëve dhe pushuesve në zonat bregdetare, duke rikthyer sipërfaqet në përdorim të lirë.
Ndërhyrja erdhi si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve nga subjektet private, pavarësisht afateve të përcaktuara për lirimin vullnetar dhe njoftimeve të përsëritura të autoriteteve. Në rastet e mosrespektimit, forcat e rendit bashkiak ndërmorën veprimet e nevojshme për rikthimin e këtyre sipërfaqeve në funksion të interesit publik.
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Vlorës kanë bërë me dije se kontrollet dhe operacionet do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Synimi i përbashkët është ndalimi i zënies abuzive të hapësirave publike dhe sigurimi i një hapësire të lirë për të gjithë pushuesit gjatë këtij sezoni turistik.