Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 12 personave, të dyshuar për përfshirje në një skemë të lidhur me importimin dhe tregtimin e derivateve të naftës. Sipas aktakuzës, veprimet dyshohet se kanë ndodhur nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025 dhe i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 4,637,893.69 eurosh.
Të pandehurit janë F.M., F.M., K.V., F.V., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M., G.Q. dhe S.M. Ata akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, në lidhje me mashtrimin dhe shmangien nga tatimi, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, falsifikim të parasë, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe shpëlarje të parave.
Sipas aktakuzës, dy nga të pandehurit dyshohet se krijuan një rrjet bashkëpunëtorësh në Kosovë dhe me shtetas shqiptarë, për të blerë derivate nga kompania “G.O.G.” SH.A. në Shqipëri dhe për t’i importuar në Kosovë. Prokuroria pretendon se, gjatë transportit, në shumicën e rasteve autobotet zëvendësoheshin me mjete të modifikuara, të mbushura me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit. Një pjesë e derivateve, sipas aktakuzës, mbetej për t’u shitur në Shqipëri.
Aktakuza përshkruan gjithashtu deklarimin e sasive të ujit si naftë dhe përdorimin e faturave për mallra që pretendohet se nuk kanë ekzistuar. Këto veprime dyshohet se janë kryer përmes bizneseve “E.P.” SH.P.K. dhe “K.O.” SH.P.K. S.K. dhe N.B. akuzohen se kanë siguruar ose lëshuar fatura të dyshuara fiktive përmes bizneseve “E.P.” SH.P.K. dhe “S.” SH.P.K., si dhe se kanë deklaruar blerje të derivateve që pretendohet se nuk kanë ekzistuar.
D.M. dyshohet se ka qenë i përfshirë në importimin dhe tregtimin e derivateve përmes bizneseve “V.P.” SH.P.K. dhe “VEDV.G.” SH.P.K. Sipas Prokurorisë, pas shkarkimit të naftës, autobotet mbusheshin me ujë, i cili shkarkohej në vende të ndryshme në Kosovë. A.M. dyshohet se ka siguruar ose pranuar fatura të dyshuara fiktive përmes biznesit “C.O.” SH.P.K., ndërsa S.M. akuzohet se ka mbajtur në emër të tij pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që dyshohet se janë përdorur ose financuar nga persona të tjerë të përfshirë në rast.
M.M. dyshohet se ka organizuar dhe mbikëqyrur transportimin e derivateve, përfshirë dërgimin e autoboteve për modifikim në një punëtori në Han të Elezit. N.M. akuzohet se ka marrë pjesë në transportimin e ngarkesave drejt pikës kufitare të Vërmicës, me qëllim shmangien e kontrolleve doganore dhe përfitimin material. G.Q. akuzohet se ka kryer modifikime teknike në autobote, duke ndërhyrë në ndarjet e brendshme, tubacionet dhe kolektorët, si dhe duke mbyllur ose ndryshuar disa dalje origjinale.