Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka zyrtarizuar ngritjen e aktakuzës ndaj dy shtetasve me inicialet R.H. dhe Q.H. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, gjatë periudhës kohore nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, kanë zhvilluar aktivitetin e paligjshëm në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës. Hetimet kanë nxjerrë në pah se të dyshuarit u kanë shitur personave të ndryshëm sasi të kokainës që varionin nga 0.22 deri në 0.50 gramë për rast.
Në zbatim të urdhrit për kontroll të lëshuar nga gjykata, autoritetet e rendit kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë katër qese me substancë narkotike me peshë të përgjithshme prej 1.7 gramësh, një mulli për bluarjen e substancave narkotike, dy telefona mobilë dhe shumën prej 1,700 eurosh. Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.